Limaj në Mitrovicë: Vendit po i kanoset një e keqe e madhe
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka takuar strukturat drejtuese të degës së Nismës në Mitrovicë, nga të cilët ka kërkuar mobilizim për zgjedhjet e parakohshme nacionale të cilat pritet të mbahen muajin shkurt.
Kreu i Nismës ka thënë se vendi po i kanoset një e keqe e madh. Ai ka ftuar përkrahësit e tij në Mitrovicë që të ngritën në këmbë dhe të mos lejojnë dëmtimin e vendit.
Limaj ka thënë se është një moment i veçantë dhe duhet pasur kujdes që mos lejojmë të biem pre e një mashtrimit të madh që po i përgatitet vendit.
“Apeli im është. Këto ditë që po na vijnë t’i shtoni përpjekjet dhe ta rrisim angazhimin e përbashkët në shërbim të vendit. Themelet e shtetit dhe vlerat tona po cenohen. Në zgjedhjet e kaluara kemi thënë bashkë për shtetin dhe tani po angazhohemi në mbrojtje të shtetit dhe vlerave kombëtare. Ne, qysh para tri viteve kemi paralajmëruar se Kosova do të jetë në një udhëkryq të madh dhe tani jemi në atë moment”, ka thënë ndër të tjera Limaj në Mitrovicë.
Ai ka thënë se nëse Kosova merr drejtimin e gabuar, atëherë mund të bëhet dëm i pariparueshëm.
“Në politikë ka gabime që mund të riparohen por ka edhe që s’mund të parashikohen. Një nga to është Gjykata Speciale. Ne nuk e kemi votuar Gjykatën Speciale dhe kemi paralajmëruar se sa keq është. Rreshtimi dhe vendimi politik është shumë i rëndësishëm. Nuk mjafton të jesh në rrugë të drejtë dhe të dëmtohet vendi”, ka shtuar ai.
Lideri i Nismës ka thënë se këto zgjedhje nuk janë për Nismën e për të personalisht, por janë betejë për vendin.