Limaj në përvjetorin e masakrës se Izbicës: Kryesit e krimeve të dalin para drejtësisë

28 mars 2019 | 12:22

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka kujtuar 20-vjetorin e masakrës së Izbicës.

Ai ka thënë se në këtë përvjetor kujtojmë civilët e pafajshëm të moshave e gjinive të ndryshme të vrarë nga forcat ushtarake e policore serbe.

“20 vite pas kësaj masakre, kryerësit e këtyre krimeve ende nuk kanë dalë para drejtësisë”, ka shkruar Limaj në llogarinë e tij në ‘Facebook’.

Limaj ka thënë se si Qeveri, por edhe si delegacion shtetëror nuk do të heqin asnjëherë dorë së kërkuari drejtësi për sa kohë që kryerësit e krimeve në Kosovë nuk e marrin dënimin e merituar.

Statusi i plotë i Limajt:

Janë bërë sot 20 vjet nga masakra e Izbicës, ku forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe vranë 147 shqiptarë të Kosovës.

Më 25, 26, 27 mars 1999, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte bërë rezistencë heroike ndaj forcave serbe, ndërsa të dielën më 28 mars, forcat serbe në shenjë hakmarrje vranë dhe masakruan mizorisht 147 veta.

Masakra e Izbicës zuri vend edhe në raportin e Departamentin amerikan të shtetit ku u publikuan edhe fotografitë e bëra nga sateliti, në të cilat qartë shihen 147 varrezat e reja në Izbicë.

Mizoria tjetër e pushtuesit serb ishte zhvarrimi i trupave duke i dërguar në lokacione të ndryshme në Kosove e Serbi.

Si zëvendëskryeministër dhe bashkëkryesues i delegacionit shtetëror në bisedimet me Serbinë do të bëjë çmos që kryesit e këtyre krimeve të dalin para drejtësisë dhe të dihet fati i të pagjeturve.

Lavdi e përjetshme martirëve, i përjetshëm kujtimi për ta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës në orën 14:00 do të mbajë një…