Limaj në Prizren: Dëshmorët edhe të vdekur i shërbejnë atdheut

01 shtator 2018 | 14:33

Kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore kushtuar 20 vjetorit të Epopesë së UÇK-së në rajonin e Vrrinit.
Më këtë rast Limaj ka thënë se nuk ka vend të lirë pa varreza të dëshmorëve, sepse liria dhe dëshmorët, sipas tij, janë të pandashëm.

Limaj ka thënë se liria e Kosovës është paguar shtrenjtë. Dëshmorët, sipas tij, edhe të vdekur i shërbejnë vendit. Ata ai thotë se i janë ushqim e vizion njerëzve për të ecur përpara.

“Akademitë përkujtimore nuk bëhen vetëm për t’i nderuar ata që kanë rënë për liri, për me tepër këto akademi bëhen edhe për të gjallët dhe për të na shërbyer e kujtuar ku kemi qenë dhe çfarë sakrificë është bërë për vendin dhe për të thënë që sado punojmë është pak për vendin tonë. Kjo që gëzojmë është paguar shtrenjtë. Nuk është përgjakur ky rajon vetëm në vitin 1998, por pandërprere sa ka qenë pushtuesi. Dëshmorët edhe të vdekur i shërbejnë atdheut”, ka thënë ndër të tjera Limaj.

E, Zafir Berisha njëri nga udhëheqësit e UCK-së, të kësaj zonë ka thënë se Epopeja e UÇK-së në Vrri është një nga ngjarjet më të dhimbshme, por në të njëjtën kohë edhe të lavdishme.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Berisha thotë se nuk lind rastësisht, por ajo ishte një rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të shqiptarëve për liri.

“Regjimi i ka shtypur shqiptarët në forma të ndryshme, por asnjëherë nuk u dorëzuam pavarësisht dhimbjeve. Shqiptarët asnjëherë nuk u ndalën së kërkuari të drejtat e tyre që u takonin. Djemtë dhe vajza të shumtë vuajtën në burgje. Shqiptarët asnjëherë nuk u nënshtruan”, ka thënë Berisha.

Berisha thotë se lufta në Drenicë ishte thirrje publike për të gjithë që ishte momenti vendimtar për t’u ngritur kundër armikut. Djemtë e Prizrenit, ai thotë se ishin kudo, por kryesisht ishin pozicionuar në rajonin e Vrrinit në tetë fshatra që ishin shpallur zonë e lirë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka…