Limaj në Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar: Investimi në siguri, prioriteti kryesor
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka vizituar Qendrën Kombëtare për Menaxhimin kufitar.
Limaj ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka vendosur si prioritet kryesorë çështjen e sigurisë së vendit.
Ai ka thënë se nuk ka prioritet më të madh se siguria e vendit dhe se gjithçka tjetër vjen pastaj.
Zëvendëskryeministri Limaj ka thënë se investimi në siguri është investim në zhvillimin e vendit.
“Kjo po bëhet falë punës se burrave e grave në institucionet e sigurisë që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme vazhdimisht. Vendi ka kapacitete, resurse dhe mundësi për t’i kryer detyrat që duhet për sigurinë e vendit. Në këtë drejtim do ta keni mbështetjen të plotë vendit. Edhe njëherë faleminderit për shërbimin që po ia bëni vendit”, ka thënë Limaj.
Më tutje Limaj ka thënë se kjo është qendra e vetme në rajon super e avancuar për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e kufijve.
“Kjo të jep siguri e vullnet për të vazhduar punën. Krijon parakushte për mirëqenie e investime e zhvillim. Për të ndërtuar ëndrrat tona për ta zhvilluar vendin tonë. Gjithë qytetarët e vendit pavarësisht përkatësisë etnike t’i sigurojmë se këta njerëz janë në shërbim të gjithë qytetarëve të vendit”, ka shtuar Limaj.
Ai ka thënë se shpesh herë angazhimet e institucioneve të Kosovës për siguri janë keqkuptuar nga dashakeqësit, por ka thënë se ngritja e kapaciteteve të sigurisë është detyrë e jona kushtetuese për të siguruar jetën e mirëqenien e qytetarëve tanë.
Sipas Limajt, mekanizmat e sigurisë gjithmonë do të jetë në shërbim të paqes e zhvillimit e ndërtimit.
/Epoka e re/