Limaj në Suharekë: Enver Hoxhaj e ka gjetur të gatshme edhe lirinë edhe partinë
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vazhduar fushatën elektorale për zgjedhjet e 14 shkurtit në Suharekë dhe Rahovec.
Limaj ka thënë se kërkesa e tij për qytetarët e kësaj zone ishte që të mos votohen ata që kur Suhareka është djegë flakë dhe populli i saj ka qenë në situatë të vështirë.
“Ata kanë zgjedhur t’ia kthejnë shpinën vendit, duke preferuar që luftën tonë për liri ta ndjekin vetëm përmes ekraneve televizive.Suhareka e di mirë se Enver Hoxhaj e ka gjetur të gatshme edhe lirinë edhe partinë. Fshati i tij, Peçani dhe gjithë kjo zonë është në dijeni që okupatori serb gjatë luftës në Kosovë ka bërë gjenocid në këtë vend, dhe jo përpjekje për gjenocid siç e ka quajtur vet Enver Hoxhaj në librin e tij. Pra, Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë dhe Nisma do të ngre padi ndaj saj për të dhënë llogari për secilën viktimë në Kosovë”, ka thënë Limaj.
Ai ka thënë se fryma çlirimtare po jehon gjithandej.
“Mbështetësit tanë janë ngritur në këmbë për ta mbështetur kauzën tonë për zgjedhjet e 14 shkurtit, në mënyrë që Parlamenti i Kosovës të këtë një zë të fuqishëm të Çlirimtarëve. Ne, jo rrallë herë kemi nis, zhvillu dhe i kemi përfunduar me fitore betejat, por ne asnjëherë nuk kemi dezertuar siç kanë dezertuar edhe disa në Suharekë, si në kohë lufte ashtu edhe në politikë”, ka deklaruar Limaj.