Limaj në Therandë, nënshkruhet memorandumi për punësimin e 600 personave
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe komuna e Therandës kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për funksionalizimin e parkut të biznesit në vlerë 2-3 milionë euro, me qëllim që bizneset të ushtrojnë veprimtarinë e tyre dhe të punësojnë njerëz në këtë komunë.
Memorandumi është nënshkruar ndërmjet ministrit të MTI-së, Bajram Hasani dhe kryetarit të Therandës, Bali Muharremaj.
Ministri Hasani ka vlerësuar se memorandumi i nënshkruar ka një rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të komunës së Therandës, përfshirë edhe rritjen e vendeve të punës.
Edhe kryetari i Therandës, Bali Muharremaj, ka thënë se ky memorandum ka një rëndësi të madhe për zhvillimin e bizneseve në këtë komunë.
Ndërsa zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, i cili ka qenë prezent gjatë nënshkrimit të këtij memorandumi, ka thënë se Kosovës i duhen njerëz energjikë.
“Ne me kënaqësi në emër të Qeverisë kemi ardhur ta nënshkruajmë këtë projekt për parkun që është në kuadër të projektit që hap mundësi për punësim për 600 vende të punës”, ka thënë Limaj.