Limaj në Viti zotohet se nën qeverisjen e tij vendi do të bëhet me sigurime shëndetësore
Zëvendëskryeministri në detyrë, njëherësh kandidat për kryeministër nga radhët e koalicionit Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj konsideron se Parlamentit të Kosovës i duhen deputetë të cilët nuk zbehen, e thehen.
Për çka sipas tij, në lëgjislaturat e kaluara, ka pasur deputetë që kanë votuar kundër interesit të Kosovës.
Kështu është shprehur ai para qytetarëve në Viti gjatë prezantimit të tre kandidatëve për deputetë nga kjo anë, të radhës së Nismës Socialdemokrate: Kastriot Sylejmani, Tasil Halajbaku, Mervan Rexhepi.
Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj në një tubim me qytetarët e Vitisë tha se sot në Anamoravë kanë ardhur për t’u dhënë mbështetje kandidatëve për deputetë.
“Besoj fort që Anamorava dalëngadalë do të formojë elitën e saj politike. Ne sot këtu i kemi pjesën dërrmuese të tyre. Jam i sigurt që këta e kanë brumin e kanë intelektin dhe gatishmërinë për të na qitur faqebardhë, vendet e juaja dhe Kosovën. Neve na duhet një parlament, i cili ka dinjitet. Na duhen deputetë të Parlamentit të Kosovës që nuk zbehen dhe nuk thehen. Na duhen deputetë të cilët kur të ngritin dorën për votë, mendojnë për të mirën e vendit… Jo më larg se para tri-katër viteve në Kosovë, Parlamenti i Kosovës ka votuar kundër interesit të Kosovës, kur kanë votuar për Gjykatën Speciale”, tha ai.
Krahas kësaj, Limaj është zotuar se në qeverisjen e tij do të bëhen sigurimet shëndetësore, të cilët ishin vazhdë e premtimeve, që nga paslufta.
“Më e rëndësishmja është sigurimet shëndetësore, që 10 vjet e kanë premtuar dhe nuk kanë bërë asgjë. Angazhimi ynë i fuqishëm është në bujqësi, besojmë se me një investim të fuqishëm në bujqësi do të transformojmë, tjetra është edhe mbështetja e ndërmarrjeve të vogla e të mesme”, tha mes tjerash Limaj.