Limaj në Vushtrri: Nisma do t’i fitojë zgjedhjet, sepse është e vetmja frymë që e çon përpara vendin
Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka deklaruar se Kosova ka nevojë për një kryeministër reformator,i cili nuk mendon për vota.
Limaj në një takim me struktura të Nismës në Vushtrri, u shpreh se vendit i duhet një kryeministër që merr vendime fundamentale për të ardhmen e vendit.
“Kosovës i duhet një kryeministër reformator, me bë reforma të thella në këtë sistem e që i humb zgjedhjet pas katër viteve. Kosovës i duhet një kryeministër jo që e bënë punën në mëngjes e pasdite e shikon tv çka po flasin, me kalkulua një votë më shumë. Këtë radhë na duhet një kryeministër që futet thellë, merr vendime fundamentale për të ardhmen e vendit për 50 vitet e ardhshme, por që nuk llogaritë ai a i fiton apo nuk i fiton zgjedhjet. Por, vendime të cilat vendin e qesin në rrugë të drejtë për 30 vitet e ardhshme”, tha Limaj.
Më tutje, Limaj tha se fryma e Nismës është e vetmja rrugë që e con Kosovën përpara, sepse është frymë që bashkon energjitë pozitive në sherbim të vendit.
“Kjo frymë ka me fitu në Kosovë, Nisma ka me fitu në Kosovë, varët a do të fitojmë më 6 tetor a me ia vonu Kosovës fitoren edhe tri vjet”, tha ndër të tjera ai.
Limaj para strukturave tha se ka gjasë që qeveria e ardhshme të jetë ajo që do të zgjidh dialogun me shtetin serb. Prandaj, sipas tij është e rëndësishme të dihet se kush do të jetë në krye të asaj qeverie.
Edhe në Vushtrri Limaj ka përsëritur se vendi ka nevojë për një kryeministër që ka përvojë, që ka marrë disa vendime për shtetin. Ai tha se vetëm në Kosovëështë e mundur që të dilet për të kandiduar për kryeministër dhe kjo të jetë puna e parë që një person e bënë.
“Kosova i ka disa tema të vështira para vetës pas 6 tetorit, sikur dialogu, liberalizimi, taksa, reformimin e thellë të këtij sistemi për të kaluar në një fazë tjetër të shtetndërtimit tonë. A mund të futet, a mundet një kryeministër t’i ka këto detyra nëse e ka punën e parë si kryeministër, a na jep siguri, a na jep qetësi një kryeministër i cili punën e parë e ka kryeministër në publik”, tha ai.
Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi para strukturave në Vushtrri tha se kandidati për kryeministër, Fatmir Limaj,është i duhuri dhe më i përgatituri për të qenë në krye të shtetit. Ai tha se kur populli i jep mandatin Fatmir Limajt, nuk ka çfarë të shqetësohet, pasi sipas tij ai i punët që i merr i dërgon deri në fund.
“Sfidat me të cilat do të përballet vendi në mandatin e ardhshëm janë epokale, do të vendoset raporti mes Kosovës dhe Serbisë në 100, 200 në përjetësi. Pra, nuk do të mund më të lëvizen asnjëherë ato raporte që do të vendosen, ajo marrëveshje që do të arrihet dhe aty kemi nevojë për njeriun e përvojës politike dhe juridike. Kemi nevojë për juristin e jashtëzakonshëm, i cili është përballur me 100 sfida të padrejtësisë dhe si njeri që ka njohur mirë kurthet juridike ka arritur t’i fitojë të gjitha proceset kundër padrejtësive. Nuk kanë më me çka me e shantazhuar, harrojeni, prandaj Kosova ka nevojë për Fatmir Limajn kryeministër”, tha ai.
Kurse, kryetari i degës së Nismës në Vushtrri, Abdullah Vojvoda, u shpreh se në këto zgjedhje kjo parti u ka ofruar qytetarëve kandidatin më të mirë për kryeministër dhe kandidatët për deputet më të përgatitur.
“Fal vizionit, politikës dhe programit social qëështë duke e promovuar Nisma Socialdemokrate, kujdesi dhe interesimi për mirëqenien ekonomike sociale të qytetarit po e bënë që Nisma dita ditës po gjen përkrahje të madhe ndër të gjitha grupmoshat në vend. Ky përqafim i këtij koncepti politik nuk ka ardhur vetëm sa për të thënë, por kontributin meritor për këtë e ka lidershipi i dëshmuar i saj”, tha ai.
Kandidatët e Nismës për deputetë nga Vushtrria janë Abdullah Vojvoda, Agim Krasniqi dhe Fidan Klinaku.