Limaj në Vushtrri tregon pse Nisma po zgjerohet çdo ditë e më shumë
Nisma Socialdemokrate ka mbajtur sot Kuvendin Zgjedhor në degën e Vushtrrisë.
I pranishëm në këtë Kuvend ishte edhe kryetari i këtij subjekti, Fatmir Limaj. Ky i fundit iu ka uruar mirëseardhje anëtarëve të ri të Nismës në Vushtrri.
Ai tha se rrugëtimi i Nismës në këto katër vite nuk ka qenë i lehtë. Por, ky sukses i Nismës, sipas tij, është arritur falë vendosmërisë dhe punës ekipore të njerëzve të këtij subjekti.
“Nisma promovon dhe angazhohet për një politike e cila ofron njerëz dhe jo për të bërë me gisht dhe sharë e për të mashtruar njerëz. Kosovës më shumë se kurrë i duhet një politike njerëzore, një politikë e cila e mbron njërin në nevoje, një politikë e cila i jep mundësi vajzës dhe djalit një perspektive, një politikë që përkujdeset për fukaranë. Një politike që përkujdeset për pensionistët. Ne vendosem që me ide konkrete të dalim se si të ia rregullojmë jetën qytetarëve tanë. Kjo frymë politike dhe ky zë i arsyeshëm ishte i vështirë të dëgjohej. Ne nuk premtojmë, por punojmë për aq sa dimë dhe mundemi për vendin”, ka thënë Limaj të shtunën në Vushtrri.
Më tutje, Limaj ka thënë se partia të cilën ai e drejton nuk jep premtime, sepse vendit ai thotë se i duhet punë me shpirt e me zemër dhe jo pazare.
“Pazare ne nuk bëjmë, ne e kem detyre me punu për vendin tonë. Ne si Nismë kemi pasur katër zotime dhe sot të gjitha ato zotime janë pjesë e programit qeveritar dhe po zbatohen çdo ditë nga ana e dikastereve përkatëse”.
“Falë këtij përkushtimi të përbashkët Nisma është këtu ku është. Falë kësaj filozofie ne jemi këtu dhe sot Nisma është faktori kryesor politikë në vend. Ne kemi dëshmuar për këto vite se sa i rëndësishëm është kjo frymë politike në skenën politike në Kosovë. Ne kemi arritur të stopojmë shumë të këqija për vendin. Ne kemi arritur ta çojmë në një nivel tjetër përgjegjësinë institucionale të vendit. Ne nuk iu kemi frikësuar temave me interes nacional, ne kemi dhënë ide se si me dalë nga situatat e krizës. Ne kemi dhënë plane se si duhet të zgjidhen problemet për vendit. Sot me kënaqësi themi Nisma ka dhënë një mundësi të madhe për të lëvizur lirshëm dhe ne presim në fund të qershorit Kosova ta marr rekomandimin pozitiv për vizat”, ka shtuar Limaj.
Nisma, thotë Limaj se interesin shtetëror e vendos para atij partiak.
“Ne kemi ulur kokën e nuk jemi zhurmazhinj. Ne nuk bërtasim për të argumentuar të drejtën tonë. Ne kemi ulur kokën dhe po punojmë sepse besojmë se njerëzit kur qeverisin nuk duhet të jenë arrogant dhe kjo na ka karakterizuar gjatë kësaj kohe dhe kështu do të vazhdojmë. Nisma është kthyer në një ure të bashkëpunimit edhe për rivalët politike”.
Ai ka ftuar të rinjtë të angazhohen dhe të jenë aktiv aty ku jetojnë dhe punojnë për të ecur përpara.
“Ftesa ime është këtë frymë ta zgjerojmë edhe me tutje. Të ofrojmë njerëz. Porosia ime për drejtuesit e Nismës këtu është të ofrojnë kuadro të reja. Jepni mundësi atyre djemve dhe vajzave që janë injoruar t’i shërbejnë vendit”, ka theksuar Limaj.
Kryetari i Degës së Nismës në Vushtrri, Abdullah Vojvoda ka thënë se Nisma në Vushtrri po shtrihet në çdo cep të komunës.
Qytetarët e Vushtrrisë, sipas tij, çdo ditë e më shumë po i bashkohen Nismës Socialdemokrate.
Ai tha se deri më tani janë afro 30 nëndegë të strukturuara të Nismës në komunën e Vushtrrisë.
“Pas këtij Kuvendi nuk do ta ndalim aktivitetin, sepse është e vetmja alternativë për qytetin e Vushtrrisë”, ka thënë Vojvoda.
Ndryshe, Nisma ka mbajtur një serë Kuvendesh nëpër nëndegët e saj anekënd vendit.
Ky proces pritet të kulmoj më 24 qershor kur edhe pritet të mbahet Kuvendi Qendror i partisë.