Limaj: Nëse nuk do të ishte deklarata në nivel presidentësh, marrëveshja do të ishte e zbehtë
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, Fatmir Limaj, ka folur rreth mosmarrëveshjeve mes partive të vendit për Projektligjin për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Në një intervistë në emisionin” Debat D” të RTV Dukagjinit, ka theksuar se Mali i Zi ka bërë një hap të rëndësishëm, të vullnetit të mirë, për të bërë veprimin që është bërë javën e kaluar.
“Po mos të kishte problem, që na ka përcjellë ky demarkacion, për të shkuar puro, me ligj, me rregull, si duhet… ka qenë dashur të jetë vetëm marrëveshja, një nen, marrëveshja e 2015-s, dhe të ratifikohet”, është shprehur ai.
Ndër të tjera Limaj ka theksuar se situata e tanishme e demarkacionit është ndryshe nga ajo që ka qenë para tri viteve.
“Nuk jemi në atë situatë. Që tri vjet s’jemi në atë situatë. Jemi në situatë krejt tjetër. Përveç asaj marrëveshjeje, ka dalë edhe një deklaratë e dy presidentëve”, ka shtuar ai.
“Dhe tash po flasim për një ligj përcjellës, unë kështu e shoh të paktën, që e ka marrëveshja e 2015-s, por e ka edhe deklaratën e presidentëve, që e rikonfirmon edhe njëherë, në mënyrë specifike, e zbërthen deri në fund, pikat problematike me të cilat kemi telashe, e që jep mundësi komisioneve të përbashkëta me rishiku aty ku ka pasur telashe dhe të korrigjohet”, është shprehur Limaj.