Limaj: Nëse opozita ka problem me presidentin, ejani ta bëjmë delegacion shtetëror
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili ditë më parë është votuar në qeverinë e Kosovës si udhëheqës i dialogut Kosovë- Serbi ka ftuar tri partitë opozitare që të bëhen pjesë e delegacionit të cilin ai e kryeson, nëse kanë problem me presidentin Thaçi.
Limaj ka thënë se ky delegacion qeveritar, nëse plotësohet me emra nga opozita do të kthehej në një delegacion shtetëror.
I pyetur se cili do të jetë roli i Limajt dhe cili i Thaçit në këto bisedime, ka thënë se fuqitë negociuese në dialog, i ka qeveria e Kosovës.
“Kosova s ka protokoll. Kudo që shfaqet presidenti ai është njeri i parë i vendit. Presidenti mund të shfaqet kudo pa marrë leje. Asnjë veprim as presidenti as delegacioni nuk mundet më be pa koordinim. Fuqitë negociouese i ka qeveria. Qëndrimet politike të secilit janë legjitime. Duhet jemi të kujdesshëm. Nëse opozita ka problem me presidentin i ftoj t’i bashkohen delegacionit dhe ta bëjmë delegacionin shtetëror”, ka thënë Limaj në një intervistë për RTV Dukagjini.
Më tutje, Limaj ka thënë se ky delegacion do t’i jap llogari dhe do ta mbajë të informuar Kuvendin gjatë gjithë kohën rreth këtij procesi.
Presidenti, sipas Limajt, nuk mund t’i raportojë Kuvendit dhe t’i përgjigjet pyetjeve të deputetëve.
Prandaj, sipas tij, është mirë që ky delegacion të plotësohet me emra nga opozita dhe kësisoj do të lidhej me Kuvendin.