Limaj: Nisma po shkon drejt fuqizimit
Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se subjekti që drejton është më i fuqishëm se kurrë.
Ai ka thënë se për më pak se katër vite kjo parti ka arritur të jetë faktor vendimmarrës në Kosovë. “Për shtatë vjet e 10 muaj njerëzit e ligë na penguam që të realizojmë edhe më shumë projekte për të mirën e vendit”, ka thënë Limaj gjatë një takimi të mbajtur të dielën me strukturat e partisë së tij në Gjilan, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në Kosovë.
Duke iu referuar vendimit të fundit për rastin e MTPT-së, ku ai është liruar nga të gjitha akuzat, Limaj ka thënë se kjo është një fitore e radhës e tij. “Ajo që ka ndodhur javën e kaluar është fitorja e jona e radhës. Si Nismë po shkojmë drejt objektivave që i kemi paraparë. Po shkojmë drejt fuqizimit. Nisma asnjëherë nuk ka qenë më e fuqishme se sot. Nisma për Kosovën është faktor vendimtar në politikën e Kosovës”, ka thënë Limaj.
Tutje, ai ka thënë se janë bashkuar për të ofruar njerëz. Kosova, sipas tij, ka nevojë për një vizion ndryshe. “Ne kemi zgjedhur një rrugë të vështirë. Pra, nuk kemi zgjedhur rrugë të lehtë për përfitime sezonale. Ne jemi futur në një rrugë të sigurt. Projekti ynë është zhvillimor. Qëllimi ynë ka qenë bashkimi i njerëzve me energji pozitive”, ka deklaruar Limaj.
Ndërkaq kryetari i degës së Nismës për Kosovën në Gjilan, aktualisht ministër i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se i kanë besuar Limajt që nga ditët e para kur deklaruar se nuk ka keqpërdorur asnjë cent.