Limaj: Nisma Socialdemokrate dallon prej partive të tjera
Kreu i Nismës Socialdemorkrate, Fatmir Limaj, në shënimin e katërvjetorit të themelimit të kësaj partie, ka thënë se partia në të cilën ai është në krye është e veçantë sepse e mban fjalën.
“Nisma Socialdemokrate dallon prej të tjerave sepse Nisma e mban fjalën. Ne një grup intelektualësh e qytetarësh të këtij vendi, para 4 vitesh morëm një vendim për të themeluar një subjekt politik që ne besonim fortë që i mungonte Kosovës; besonim se Kosovës i mungon fryma social-demokrate, e cila është afër qytetarit, është afër njerëzve në nevojë, që e mbështet punëtorin, fshatarin, studentin. Nuk ka shtet pa popullin, nuk mbrohen interesat e një shteti nëse brenda nuk punon për t’ia zgjidhur interesat qytetarit për të cilën punon, dhe kështu kemi filluar duke qenë të bindur se kjo forcë politike i duhet Kosovës”, ka thënë Limaj.
Ai shtoi se kjo parti tashmë ka pjesëtarë që kanë përgjegjësi shtetërore në nivel qendror dhe lokal.
“Prej kur kemi filluar e deri sot janë mbi 250 zyrtarë shtetëror që ka marrë përgjegjësi për të drejtuar nivelin qendror shtetëror dhe lokal, jemi parti që ka grupin e saj parlamentar në Kuvendin e Kosovës, por dhe në asambletë e komunave”, ka shtuar Limaj.
Limaj po ashtu njoftoi se edhe në këtë ceremoni atyre iu janë bashkuan dhjetëra intelektualë dhe anëtar të rinj.
“Dua të shfrytëzojë rastin t’iu shpreh mirëseardhje në struktura e partisë dhjetëra e qindra intelektualëve të Kosovës që formalisht e zyrtarisht do t’i bashkohen Nismës Socialdemokrate. Mirë se keni ardhur ne familjen tuaj, me vizionin e saj që po shpalos këto 4 vite”, ka përfunduar Limaj.