Limaj: Nisma, zëdhënëse e të gjithë atyre që kanë nevojë për përkujdesjen e shtetit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, është zotuar se partia të cilën ai e drejton do të jetë zëdhënës i të gjithë atyre familjeve e njerëzve që kanë nevoje për dorën e shtetit.
Nisma, sipas tij, dallon shumë nga partitë tjera politike dhe se mbështetja në këtë parti po rritet çdo ditë e më shumë.
“Ne duhet të merremi me hallet e përditshme të qytetarëve tanë. Nisma është dhe do të jetë zëri i atyre njerëzve që s’kanë mundësi dhe janë të pambrojtur. Ne do të jemi afër djemve dhe vajzave të reja. Do të jemi afër pensionistit e bujkut. Më një fjalë do të jemi afër të gjithë atyre njerëzve të cilët kanë nevoje për dorën e shtetit”, ka thënë Limaj në Konventën e degës së Nismës në Prishtinë.
Më tutje, ai ka thënë se Nisma refuzon logjikën e sharjes së shtetit. Ai thotë se nuk ka asgjë më të shenjtë se sa shteti.
Sa i përket degës së Nismës në Prishtinë, Limaj ka thënë se nga kjo Konvente, dega do të dalë edhe më e fuqishme se sa deri më tani.
Ai i ka shprehur mirënjohje të gjithë atyre të cilët në ditët e para ishin bashkuar Nismës në Prishtinë.
Limaj është shprehur i bindur se fryma e Nismës Socialdemokrate do të zgjerohet dhe se njerëzit e mirë të këtij vendi do t’i bashkohen Nismës
“Ne përfaqësojmë politika të mira në shërbim të vendit. Ne jemi sot këtu falë qartësisë tonë politike. Nuk ka qenë lehtë që në skenën politike të depërtoj një frymë politike krejt ndryshe nga të tjerët. Ne nuk mund të humbim energji, Kosova nuk ka nevojë të humbur energji duke sharë njerëz e për politika mashtruese”, ka shtuar Limaj.
E, kryetari i degës së Nismës në Prishtinë, Baton Dushi tha se Nisma tashmë po shtrihet çdo ditë e më shumë në çdo cep e lagje të Prishtinës.
Nisma, sipas tij, do të vazhdoj konsolidimin e saj edhe pas zhvillimit të kësaj konvente.
Ai tha se çdo ditë njerëz të moshave e profesioneve të ndryshme po i bashkohen Nismës Socialdemokrate në Prishtinë.