Limaj: Një grup individësh janë ngritur në këmbë për ta rrënuar këtë shtet
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka quajtur populiste veprimet e qeverisë Kurti karshi faktorit ndërkombëtar.
Kreu i Nismës tha se një qeveri normale do të duhej t’i vazhdonte punët ku kanë mbetur, e jo t’i “përmbys krejt çka është bërë”.
Sipas Limajt, veprimet eksperimentale të qeverisë po i kushtojnë Kosovës në raport me zhvillimet e brendshme dhe jashtë.
Limaj i sheh këto veprime si tendencë për ta rrënuar shtetin nga një “grup individësh”.
“Besoj që të gjithë tashmë jemi të qartë çka do të thotë politika populiste kur politikën e jashtme e përdorni për përfitime të brendshme. Kur nuk dini për të dalluar interesin strategjik me poteza të përditshëm politike, ato i kushtojnë vendit. Kjo vazhdimisht ka qenë apeli im që Kosova duhet ta ruajë kursin e vet properëndimor. Kosova duhet të bëjë hapa të sigurt në rrumbullakimin e shtetësisë së vet. Kjo fatkeqësisht po ndodh tash e tri vite. Këto janë veprime eksperimentale që po i kushtojnë dhe do t’i kushtojnë vendit tonë mënyra të ndryshme”, ka thënë Limaj për “Ekonomia Online”.
Duke komentuar deklaratat e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, për dëmtimin e partneritetit të ShBA-së me Kosovën, Limaj tha se janë dëshmitarë të shkatërrimit të “shtetit të ndërtuar me shumë sakrifica e mund”.
“Qeveria është duke bërë gabime që nga fillimi, sepse tash e ka ndërruar kursin e drejtimit të vendit. Mentaliteti për të filluar çdo gjë prej zeros, duke përmbysur të arriturat është mentalitet që e përmbys vendin. Një vend i qytetëruar, një qeveri normale, e pjekur, vazhdon aty ku ka mbetur për ta bërë edhe më mirë seç është për ta ndryshuar më mirë, por jo për ta përmbysur krejt se çka është bërë. Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë që grupe individësh janë ngritur në këmbë për të rrënuar këtë shtet të ndërtuar me shumë sakrifica dhe mund tash e 20 vite”, ka thënë Limaj.