Limaj njoftohet me të arriturat e FSK-së
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka pritur të martën në takim zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Pjesë e këtij takimi ishin dhe zëvendësministri Agim Çeku dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.
Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, ka falënderuar për vizitën zëvendëskryeministrin Limaj dhe anëtarët tjerë të delegacionit, si dhe i ka njoftuar ata me zhvillimet dhe të arriturat e përgjithshme të MFSK-së dhe FSK-së.
Gjithashtu ministri Berisha e ka informuar Limajn për bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, për memorandumet e bashkëpunimet me shtetet anëtare të NATO-s, duke theksuar bashkëpunimin me Gardën Kombëtare të Ajovës.
Po ashtu, në këtë takim është folur edhe për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.
Ndërsa komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka folur për arritjet e përgjithshme dhe individuale të kadetëve të FSK-së, në akademitë më prestigjioze në botë, si në ShBA, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Turqi, Shqipëri etj.
Ndërkaq zëvendësministri Fatmil Limaj ka përgëzuar ministrin Berisha dhe komandantin e FSK-së për arritjet e përgjithshme, duke premtuar përkrahjen e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për Ministrinë e FSK-së dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.