Limaj: Nuk do të ketë ndarje dhe as shkëmbim të territoreve
Nisma Socialdemokrate ka mbajtur sot mbledhjen e saj me anëtarët e Kryesisë dhe kryetarët e degëve.
Kryetari i këtij subjekti, Fatmir Limaj, ka folur për objektivat e qeverisë së re të Kosovës ku bën pjesë edhe Nisma Socialdemokrate.
Kreu i Nismës ka veçuar dy objektiva të kësaj qeverie siç është rimëkëmbja e ekonomisë dhe përmbyllja e dialogut me Serbinë.
“Angazhimi ynë mision historik do të jetë përmbyllja e marrëveshjes me Serbinë me njohje reciproke si dhe rimëkëmbja e ekonomisë pas situatës së krijuar me Covid-19. Po ashtu objektiv tjetër do të jetë edhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ndër të tjera ai.
Lideri i Nismës ka thënë se sa herë që Kosova ka qenë e sinkronizuar me ShBA-të dhe miqtë evropian asnjëherë nuk i ka rënë keq, duke shtuar se nuk do të ketë as shkëmbim të territoreve dhe as ndarje të Kosovës.
Më tutje, Limaj ka thënë se qeveria e ka për detyrë për ta zbehur polarizimin që ka bërë qeveria e kaluar në shoqërinë e Kosovës dhe për ta rikthyer në normalitet situatën.
“Një nga qëndrimet tona gjatë fushatës zgjedhore ka qenë se është luks për Kosovën për t’ua dhënë drejtimin e shtetit njerëzve të papërvojë, ky ka qenë minimumi i arsyes. Orientimi i qeverisjes së kaluar ka qenë orientim negativ. Forma tjetër e qeverisjes destruktive është injorimi i ligjit dhe krejt asaj që ka ndodhë më herët duke gjetur rrugën më të lehtë përmes vendimeve administrative të pambështetura në ligj për të arritur objektivat politike. Qeveritë e tilla janë autoritare. I përmenda këto për të treguar se kemi pasur një qeverisje me vendime populiste, por me pasoja për vendin”, ka shtuar Limaj.
Ai ka kërkuar nga kryetarët e degëve që pasi të mbylljet pandemia me Covid-19 t’u rikthehen aktiviteteve partiake nëpër komunat e tyre përkatëse.
(Q.R / Epoka e re)