Limaj: Nuk pranojmë asnjë marrëveshje e cila është në dëm të Kosovës
Ekipi shtetëror për bisedime me Serbinë ka mbajtur të mërkurën takimin e radhës.
Pas këtij takimi, bashkëkryesuesi i këtij ekipi, Fatmir Limaj, ka thënë se kanë diskutuar për platformën e dialogut me Serbinë.
Limaj ka bërë me dije se ky ekip do ta procedojë Kryesinë e Kuvendit të Kosovës platformën për bisedime me Serbinë.
Ai ka thënë se ekipi shtetëror ka mandat nga Kuvendi i Kosovës dhe Kushtetuta dhe se nuk do të diskutohet për tema të cilat cenojnë interesin e Kosovës.
Më tutje, Limaj është shprehur i sigurt se Kosova do të flas me një zë në raport me bisedimet me Serbinë.
“Platforma dhe marrëveshja eventuale do të jetë në interes të vendit tonë. Një marrëveshje e cila nuk është në interes të vendit kurrë mos u votoftë. Nuk besoj që dikush sjell marrëveshje që dëmton vendin”, ka thënë Limaj, duke shtuar se nuk do të pranojnë asnjë marrëveshje me Serbinë, e cila nuk është në interes të Kosovës.
“Nuk pranojmë gjëra që dëmtojnë vendin. Mos harroni jemi njerëz të këtij vendi dhe nuk pranojmë gjëra që dëmtojnë vendin”, është shprehur Limaj.