Limaj paralajmëroi dy ditë më parë vendosjen e taksës për bllokat nga Serbia
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marrë edhe një vendim që lidhet me Serbinë, për importin e produkteve ndërtimore.
Bllokat që do të hyjnë nga Serbia në Kosovë tash e tutje do të paguajnë taksë shtesë për dy cent në bllok. Ky është vendimi më i ri që ka marrë Bajram Hasani, ministri i Tregtisë, ne raport me Serbinë, pas atij të miellit.
E, këtë vendim e kishte paralajmëruar dy ditë me parë zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj. Ai gjatë një vizitë në Fabrikën e bllokave ‘Brickos’, kishte thënë se do zgjerohen masat mbrojtëse për prodhimet ndërtimore vendore.
“Kosova do ta zgjerojë masën mbrojtëse edhe për profilet tjera të bllokave dhe montave të cilët, kanë qenë të ekspozuar ndaj tregut të pabarabartë dhe të padrejtë. Kosova duhet ta çojë mesazhin se ne po ndërtojmë një treg të rregullt dhe disiplinë me kushte të barabarta. Nuk mund të punohet në vendin tonë jashtë rregullave të tregut dhe ky është mesazhi që dërgojmë”, kishte thënë ndër të tjera Limaj.
Po ashtu, Limaj ka thënë se detyra e Qeverisë është mbështetja e njerëzve që hapin vende të reja pune. Prodhimet vendore të këtyre produkteve ndërtimore, Limaj thotë se mbulojnë 80% e tregut dhe nëse vazhdohet kështu, Kosova nuk do të ketë nevojë për import.
Ndryshe, prej se Limaj është emëruar zëvendëskryeministër ai gjatë gjithë kohës është zotuar për mbështetjen e prodhuesve vendor. Sipas tij, mbështetja e prodhimit vendor është e vetmja mundësi e cila garanton zhvillim ekonomik dhe rritje të buxhetit.