Limaj paralajmëron një ‘variant’ të demarkacionit, i favorshëm për dy vendet
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, është optimist se çështja e demarkacionit do të përfundojë në janar.
“Unë pres që në muajin e ardhshëm do të shkojmë dhe do ta kemi shumicën në Parlamentin e Kosovës për ta përmbyllur këtë çështje”, ka thënë Limaj në një intervistë për “Rtv21”.
Sipas Limajt, varianti do të respektojë interesat edhe të Kosovës edhe të Malit të Zi.
“Po punojmë që kur të shkojmë në Kuvend të Kosovës të gjithë do t’i duartrokasin variantit që do ta dërgojmë. Do t’i duartrokasin populli i Kosovës por edhe miqtë tanë“, ka theksuar Fatmir Limaj.
Limaj u shpreh i bindur se nga ky proces as Kosova as Mali i Zi nuk do të dalin të humbur. “Përkundrazi, të dy vendet do të dalin edhe më të fuqishme në marrëdhëniet e tyre ndërshtetërore”, ka theksuar ai.
Demarkacioni është një nga dy kushtet që Kosova duhet të përmbushë në mënyrë që qytetarëve të saj t’u hiqen vizat për në vendet e Bashkimit Europian.
Për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit duhen 2/3 e votave të 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Nëse shkon në Kuvend në janar, kjo do të jetë hera e dytë që kjo Marrëveshje shkon për t’u votuar.
Herën e parë, më 1 shtator të vitit të kaluar, Marrëveshja kishte shkuar edhe në seancë, mirëpo kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa e kishte tërhequr pasi që kishte kuptuar se nuk i ka votat e mjaftueshme.
Marrëveshja e Demarkacionit ishte nënshkruar me 26 gusht të 2015 nga ministrat e atëhershëm të Punëve të Jashtme e të Brendshme, Hashim Thaçi e Skënder Hyseni dhe homologët e tyre malazezë.
Ramush Haradinaj posa ishte zgjedhur kryeministër kishte shkarkuar Komisionin shtetëror për shënimin e vijës kufitare duke e vënë në krye të këtij Komisioni ish-deputetin e LDK-së, Shpejtim Bulliqi, i cili kishte sjellë në Kuvendin e Kosovës raportin që sipas tij dëshmon se Kosova me Marrëveshjen e arritur humb territor.
Sipas zyrtarëve të lartë europianë, ratifikimi i kësaj marrëveshje është kushti kryesor që Kosovës t’i hapet rruga për të lëvizur pa viza.