Limaj pas takimit: Marrëveshjet e nënshkruara në Pejë do të zbatohen nga muaji i ardhshëm
Koordinatori Kombëtar i dy Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, Fatmir Limaj, ka thënë pas takimit të sotëm koordinues në mes të përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë lidhur me marrëveshjet e nënshkruara vitin e kaluar në Pejë se deri në fund të muajit qershor të këtij viti do të përmbyllen në tërësi këto marrëveshje.
“Marrëveshja për Romingun: Ashtu siç është paralajmëruar më 15 qershor do të nis së zbatuari kjo marrëveshje dhe deri në vitin 2021 do të përmbyllet në tërësi. Kësisoj qytetarët e dy vendeve do të kenë tarifa shumë më të lira. Marrëveshja për zbatimin e protokollit për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vermicë: Qarkullimi i qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë do të lehtësohet në mase të madhe duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare siç është IBM. Vështirësitë teknike qe i kemi e kemi marrë vendimin me i zgjidhë në 10 ditët e ardhshme”, ka thënë Limaj pas kësaj mbledhje.
Sa i përket marrëveshjes për njohje të patentë shoferëve, Limaj ka thënë se kjo marrëveshje është e gatshme për t’u zbatuar dhe qysh nga sot qytetarët e dy vendeve mund të përfitojnë nga kjo marrëveshje.
“Marrëveshja e katërt ka qenë pika doganore në Durrës. Poashtu gjatë implementimit të kësaj marrëveshje kemi pasur probleme teknike dhe sot na kanë raportuar drejtuesit e doganave dhe tani e tutje nuk do të ketë probleme të tilla”, ka shtuar Limaj.
Zëvendëskryeministri i ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit e takimit të sotëm, i cili, sipas tij, ishte shumë konkret dhe përmbajtjesor dhe thotë të ketë dalë nga kjo mbledhje më shumë optimizëm për të ardhmen.
“Ne nuk do të kufizohemi vetëm me realizimin e këtyre marrëveshjeve, por do të shkojmë tutje gjithmonë në funksion të lehtësimit të jetës së qytetarëve andej e këndej kufirit”, ka theksuar Limaj.
/Epoka e re/