Limaj pas takimit me Thaçin: Morëm pak dokumente, do të nisim nga pika zero
Bashkëkryesuesi i Ekipit Negociator, Fatmir Limaj ka thënë se ekipi i tyre do të fillojë nga pika zero, pasi sipas informacioneve që kanë marrë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka pasur asnjë marrëveshje të arritur deri më tani në Bruksel.
Në një konferencë për media pas takimit të përbashkët mes Ekipit Negociator dhe presidentit Thaçi, Limaj ka thënë se aktualisht tani ata duhet të fillojnë të prodhojnë dokumente.
“Qëllimi i këtij takimi ka qenë që ne si delegacion shtetëror të dimë ku jemi si Kosovë, ku fillojmë dhe si çfarë. Ajo që ne morëm në përfundim është se përveç bisedimeve që janë bërë më tepër me Brukselin sesa me Serbinë nuk ka pasur ndonjë marrëveshje të arritur. Aktualisht ne duhet të fillojmë të prodhojmë dokumentet. I kemi të gjitha dokument e dialogut teknik dhe dal nga dalë do e formojnë një bazë. Realisht nuk kemi marrë shumë dokumente, duhet të fillojmë nga zero për të paraqitur qëllimin e Kosovës. Kjo do të jetë korniza jonë e dialogut të mundshëm Kosovë-Serbi”, ka thënë Limaj.
/Epoka e re/