Limaj pas votimit të platformës: Tani Kosova e ka pozicionin e vet zyrtar në dialog
Pas miratimit të Platformës për dialog me Serbinë, bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror për bisedime, Fatmir Limaj, ka thënë se nga tani e tutje, delegacioni shtetëror udhërrëfyes të vetin në dialog me Serbinë do ta ketë platformën e miratuar në Kuvend.
Limaj ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook”, se platforma e miratuar në Kuvendin e Kosovës përmban parimet mbi bazën e të cilën delegacioni do të hyjë në dialogun e mundshëm me Serbinë.
“Ndihem jashtëzakonisht i kënaqur që platforma e miratuar sot nga ligjvënësit paraqet unitetin e institucioneve të Kosovës në dialogun e ardhshëm me Serbinë”, ka shkruar Limaj.
Kryetari i Nismës ka thënë se tani Kosova e ka pozicionin e vet zyrtar në dialog.
Numri dy i Qeverisë së Kosovës ka folur edhe për objektivat e Kosovës në dialog.
“Sa u përket objektivave tona në dialog, ato tanimë janë të njohura; Kosova hyn në dialog për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare e cila çon në njohje reciproke, mundëson anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizata tjera ndërkombëtare si dhe hap perspektivë të qartë euroatlantike për vendin dhe përfundimisht siguron paqe e mirëqenie për këtë pjesë të Ballkanit”, ka shkruar Limaj.
Shënimi i plotë i Limajt:
Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot i miratuan Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Kosovës si dhe Platformën për dialog më Serbinë. Nga tani e tutje Delegacioni Shtetëror udhërrëfyes të vetin në dialogun me Serbinë do ta ketë platformën e miratuar në Kuvend dhe përmes ligjit përcaktohen kompetencat dhe detyrat e delegacionit shtetëror. Platforma e miratuar në Kuvendin e Kosovës përmban parimet mbi bazën e të cilave do të futemi në dialogun e mundshëm me Serbinë. Ndihem jashtëzakonisht i kënaqur që platforma e miratuar sot nga ligjvënësit paraqet unitetin e institucioneve të Kosovës në dialogun e ardhshëm me Serbinë. Tani Kosova e ka pozicionin e vet zyrtar në dialog. Sa u përket objektivave tona në dialog, ato tanimë janë të njohura; Kosova hyn në dialog për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare e cila çon në njohje reciproke, mundëson anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizata tjera ndërkombëtare si dhe hap perspektivë të qartë euroatlantike për vendin dhe përfundimisht siguron paqe e mirëqenie për këtë pjesë të Ballkanit.