Limaj: PDK-ja dhe LDK-ja dëshirojnë të heshtin zërin e vlerave kombëtare në Kuvend, do ta fitojmë edhe këtë betejë
Kryetari Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas vendimit të KQZ-së për të mos e certifikuar listën e deputetëve të kësaj partie për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Limaj ka shkruar se “Sonte ne kemi qenë dëshmitar të një sulmi të paprecedent në partinë tonë dhe në të gjithë procesin demokratik”.
Ai ka thënë se KQZ-ja është shndërruar në një lojtar politik aktiv.
Me këtë vendim, PDK dhe LDK dëshirojnë që të heshtin zërin e vlerave kombëtare dhe të trashëgimisë së UÇK-së në institucionet vendimmarrëse në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.
Deklarata e plotë e Limajt:
Sonte ne kemi qenë dëshmitar të një sulmi të paprecedent në partinë tonë dhe në të gjithë procesin demokratik. KQZ-ja ka vendosur që të mos çertifikojë disa parti politike që të marrin pjesë në zgjedhje.
Është e qartë që ka një interes të madh që NISMA të mos jetë pjesë e parlamentit, që parlamenti i Kosovës të mos e ketë brenda një zë të qartë të UÇK-së.
“Me këtë vendim, PDK dhe LDK dëshirojnë që të heshtin zërin e vlerave kombëtare dhe të trashëgimisë së UÇK-së në institucionet vendimmarrëse në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova”, ka thënë Limaj.
Sonte KQZ-ja është shndërruar në një lojtar politik aktiv. Përderisa deri më tani gjithmonë, anëtarët e KQZ-së kanë miratuar vendimet e zyrave profesionale siç ishte në këtë rast Zyra për Certifikim, kësaj radhe duke shpërfillë krejtësisht vendimin profesional të zyrës për çertifikim, ata vendosën që të mos e çertifikojnë NISMA Socialdemokrate.
Në raport me NISMËN Socialdemokrate kjo nuk është hera e parë që na behët padrejtësi, në zgjedhjet e vitit 2019, zyra për pranimin e votave të ardhura nga Serbia në mënyrë ilegale, kishte rekomanduar në kundërshtim me ligjin pranimin e këtyre votave, në këtë rast KQZ kishte refuzuar të marrë vendim kundër këtyre votave sepse argumenti i tyre ishte se ka ardhur rekomandimi nga zyra profesionale. Siç e din opinioni, të gjitha këto beteja ligjore NISMA Socialdemokrate i ka fituar, edhe kësaj radhe jemi të sigurt se në hapat e ardhshëm legal do të triumfojmë.