Limaj për masakrën e Reçakut: Serbia synonte shfarosjen e shqiptarëve
Zëvendëskryeministri dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka përkujtuar masakrën e Reçakut me rastin e 20-vjetorit të saj.
Limaj ka thënë se kjo masakër është dëshmia më e mirë se cili ishte plani i Serbisë për shqiptarët.
“20 vjet më parë në Reçak forcat policore serbe kryen një nga masakrat më të tmerrshme në Kosovë, e cila tronditi edhe opinionin ndërkombëtar. Në këtë ditë kujtojmë me pitet dhe krenari 45 qytetarë burra e gra, fëmijë e të moshuar të cilët u masakruan barbarisht nga ana e forcave serbe. Masakra e Reçakut është dëshmia më e mirë se cili ishte plani i shtetit serb për shqiptarët. Ata synonin shfarosjen, shkatërrimin dhe largimin e njerëzve tanë nga vendi ynë”, ka thënë Limaj.
Me këtë rast, Limaj ka kujtuar edhe ambasadorin William Wallker, i cili ka sensibilizuar botën demokratike për krimin e bërë nga Serbia në Reçak.
“Shqiptarët do t’i jenë përgjithmonë falënderues ambasadorit William Wallker i cili sensibilizoi botën për krimet që po kryenin serbët mbi njerëzit e pafajshëm në Kosovë. Masakra e Reçakut mobilizoi botën demokratike për t’i dal në krah Kosovës. Kosova do t’i nderojë dhe kujtojë përgjithmonë dëshmorët dhe martirët jo vetëm të këtij brezi, por edhe të brezave të mëhershëm”, ka thënë Limaj, duke shprehur lavdi për gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit.
/Epoka e re/