Limaj për takimin në Bruksel: Do t’i dëgjojnë disa gjëra që nuk i kanë dëgjuar më parë
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë në “Zona B” në “Klan Kosova” që në takimin e radhës në Bruksel , që do të mbahet të marten, do të shkojnë për t’ua thënë zyrtarëve europianë disa gjëra që pala kosovare nuk i ka thënë më parë.
“Në Bruksel do të dëgjojnë disa gjëra që nuk i kanë dëgjuar më parë”, ka thënë Limaj, kur ka folur për mundësitë e liberalizimit të vizave këtë vit. Presim që Kosova të trajtohet ndryshe, besojmë se nuk është trajtuar në mënyrë të drejtë krahasuar me vendet e rajonit. Nuk duam favorizime, por duam që të trajtohemi barabartë. Është koha përfundimisht që Kosova të shihet ashtu si është nga Brukseli. Ne nuk jemi migrantë, dhe s’mund të trajtohemi si të tillë, jemi vend qe duam te jemi pjesë e BE-së”, ka thënë Limaj.
Kryetari i Nismës për Kosovën ka folur edhe për unitetin të cilin duhet ta ketë pala kosovare në raport me Serbinë.
“Unë dua që të jemi bashkë – do të mundohem me secilin të bisedoj, pasi jam i bindur se është e vetmja rrugë. Mendoj se të gjithë do të bëhemi bashkë. Edhe nesër do të shkojmë në Bruksel për ta rikonfirmuar qëndrimin e Kosovës, jo vetëm të pozitës; Kosova është për dialog. Ne duhet ta ndërtojmë një ekip, një ekip që tregon një konsensus sa më të gjerë, për të qenë sa më të përgatitur për këtë fazën finale dhe për të gjetur rrugën e afrimit”, ka thënë Limaj.