Limaj përcjell sërish mesazh pas tubimit në Prishtinë: Bashkë për fitoren e 6 tetorit
“Para mijëra përkrahësve tanë në sallën 1 Tetori, të stërmbushur me njerëz hapëm zyrtarisht fushatën zgjedhore të koalicionit tonë fitues NISMA-AKR-PD”, ka shkruar Fatmir Limaj në llogarinë e vet në “Facebook” pas përfundimit të tubimit në Prishtinë.
Ai ka shtuar se: “Sot, në 1 Tetori pashë njerëz të entuziazmuar, që janë bërë Bashkë për Shtetin, e që me praninë e tyre dhanë mesazhin e madh, se boshti ynë politik, NISMA-AKR-PD, do të jetë befasia spektakulare e zgjedhjeve të 6 tetorit, për t’ia dhënë Kosovës një drejtim të duhur”, ka theksuar Limaj.
Ai ka thënë se Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për njerëz të dëshmuar, që kurdo që ka qenë nevoja kanë kontribuuar për vendin. “Mbi të gjitha për njerëz që në kohët më të vështira kanë sakrifikuar edhe familjen për t’i shërbyer Kosovës sonë të dashur”.
“Jemi bërë bashkë për të qenë zë i gruas, nënave dhe motrave tona, bashkë do ta realizojmë ligjin për lehoninë. Në krye me Nismën, koalicioni ynë do t’i fusë shtesat e fëmijëve për t’i rritur fëmijët me dinjitet. Ne do të jemi zëdhënës të punëtorëve, pensionistëve dhe të gjithë njerëzve që kanë nevojë për dorën e shtetit”, ka shkruar Limaj.
Ai ka thënë se fryma e këtij koalicioni është oferta më e mirë që garanton dhe siguron të rinjtë tanë, për të qëndruar në vendlindje për të ndërtuar familje të shëndoshë e për t’i shërbyer Kosovës.
“Kosova duhet të qeveriset nga njerëzit kompetentë dhe të sprovuar. Bashkë për Shtetin, bashkë për fitoren e 6 tetorit”, ka shkruar ndër të tjera lideri i Nismës, njëherësh kandidat për kryeministër i koalicionit Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj.