Limaj përkrah propozimin e PSD-së për Ligj për dialogun
Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka pohuar se Partia Socialdemokrate (PSD), që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti, do të jetë pjesë ekipit negociator në dialog me Serbinë.
Limaj, i cili nga Qeveria është proozuar si koordinator për dialogun me Serbinë, për Ekonomia Online ka sqaruar se bashkë me këtë parti janë duke e përpunuar një dokument për këtë çështje.
Limaj tha se beson që ky delegacion i ri do të miratohet në Kuvendin e Kosovës, ndërsa shtoi se një ligj për dialogun, si propozimi PSD-së, duhet të bëhet.
“Për pjekjet tona janë drejt rezultateve, është shumë me rëndësi gatishmëria e PSD për tu kyçur në dialog, për tu bërë pjesë e dialogut dhe ne jemi duke përpunuar një dokument të përbashkët, besoj NISMA dhe PSD jemi pajtuar për disa, në parim çështje të dokumentit dhe presim që sa më shpejtë të ndërtohet ai konsensus dhe kështu ta kemi delegacionin shtetëror”.
“Natyrisht që ekziston ajo mundësi, tashmë është e qartë, PSD e ka shprehë gatishmërinë e saj, i ka disa kërkesa krejt normale në kuptimin e përgatitjes së platformës, në kuptimin e rregullores dhe një projektligji të delegacionit shtetëror dhe besoj që ditëve në vijim do të kemi rezultate”.
“Unë besoj që po, dhe ne si parti politike në parim pajtohemi që duhet të kemi një ligj të tillë dhe besoj që ajo do të jetë në dokumente të miratimit në parlament dhe kjo është kërkesë e PSD dhe nuk shoh të keqe pse mos me pasë një ligj të tillë”.
Zëvendëskryeministri Limaj ka folur edhe për vendimin mbi masën 100 për qind ndaj importit të produkteve serbe, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, edhe pas reagimeve të ndërkombëtarëve kjo masë do të vazhdojë të jetë e tillë, ndërsa ka shtuar se vetëm kur Serbia njeh Kosovën shtet, masa mund të tërhiqet.
“Jemi shumë të interesuar të kemi zhvillime normale. Sjellja e Serbisë në raport me shtetin e Kosovës ka qenë jonormale deri më tani dhe ne presim që Serbia të reflektojë dhe gjithashtu miqtë ndërkombëtarë të Serbisë ta ndihmojnë që ajo ta kuptojë realitetin e Kosovës si shtet”.
“Nga momenti kur Serbia fillon e ta shoh, ta respektojë Kosovës si shtet, ne nuk kemi më nevojë për taksa të tilla”.
Limaj i ka quajtur paralajmërimet për rritje të çmimeve për shkak të taksës, si propagandë e Serbisë, ndërsa ka konfirmuar se taksa është e plotë, 100 për qind, pavarësisht importeve që hyjnë në Kosovë me 10 për qind taksë.
“Kjo më tepër është një panik dhe propagandë speciale e Beogradit, e cila dëshiron të krijojë panik në tregun e Kosovës, tek qytetarët por unë i shpreh falënderimin qytetarëve të Kosovës, nuk kanë ranë atë panik dhe biznesi i Kosovës është shumë i zoti dhe ka gjet rrugë të furnizimit të tregut të Kosovës dhe nuk kanë pranuar që në lufta të tilla speciale të Beogradit të bëhet viktimë biznesi i Kosovës dhe qytetari i Kosovës. Masa është 100 për qind e plotë”.