Limaj përkujton bashkëluftëtarët e tij: Sot po i nderojmë shenjat e lirisë dhe të lavdisë
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka marrë pjesë të mërkurën në shënimin e 21-vjetorit të Epopesë së Rahovecit.
Më këtë rast, Limaj ka thënë se sot si çdo vit tjetër nderojnë anekënd Kosovës shenjat e lirisë dhe të lavdisë, shenja këto që bënë të mundur që tash e 20 vite ky shtet të jetoj i lirë.
“Ne jemi këtu sot falë gjakut, sakrificës, përpjekjes që kanë bërë njerëzit e Kosovës. Jemi sot në Rahovecin e lirë falë sakrificës dhe përpjekjes të jashtëzakonshme të djemve dhe vajzave të Rahovecit dhe Anadrinisë”, ka thënë Limaj.
Më tutje, Limaj ka thënë se pas rënies së komandantit legjendar, Adem Jashari, Serbia po përpiqej që ta izolonte Drenicën, por djemtë e Kosovës, sipas tij, nuk lejuan të përsëritet historia dhe të izolohet Drenica.
Limaj që në luftë mbante nofkën Çeliku ka thënë se ky ishte një sinjal i qartë se lufta e UÇK-së do të shpërndahej anekënd Kosovës.
Në Epopenë e Rahovecit kanë rënë edhe disa bashkëluftëtare të Limajt, për të cilët ai ka thënë se
i nderojnë të gjithë dëshmorët duke iu shprehur mirënjohjen e përkuljen për sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës.
“Janë dhjetëra burra, shokë të cilët ranë për të mos vdekur kurrë. Le të vazhdojmë t’i ruajmë kujtimet më të mira. Ju si familjarët për prindërit e juaj, vëllezërit, të afërmit dhe ne si bashkëluftëtar që ndamë momentet më të mira dhe të vështira të jetës sonë. T’i ruajmë ato kujtime për të kujtuar që atë që gëzojmë sot me të shtrenjtën; lirinë askush nuk na ka falur”, ka shtuar Limaj.
Përveç akademisë përkujtimore, Limaj ka bërë homazhe edhe pranë lapidarit të dëshmorëve të kombit si: Sadik Shala, Agim Qelaj, Hamdi Berisha, Liman Gegaj, Bajram Veliu, Afrim Krasniqi, Faik Rama si dhe pranë monumentit të luftëtarëve të shquar Toni dhe Mici.
/Epoka e re/