Limaj: Politika e Kurtit është me heq dorë nga veriu, do të ndodh ajo që pak kush e ka pritur
Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti me politikat e tij, po dëshiron që të heq dorë nga veriu i Kosovës.
Sipas Limajt, rezultatet 2 vjeçare e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje, të cilën e quan të rëndë. Ai thotë se këtë po e bën në emër të patriotizmit.
Kreu i Nismës ka folur edhe për mundësinë e marrëveshjes me Serbinë, të cilën e quan të dëmshme.
Ai konsideron se me politikat e Kurtit do të ndodh ajo që pak kush e ka pritur.
“Albin Kurti vazhdon me këtë politikë, po, sepse politika e zotëri Kurti me heq dorë nga pjesa veriore, nëse i shihni potezat e tij, ai qëllimshëm i ka shpëtuar procesit. Krejt kjo politike është me heq dorë nga pjesa veriore e Kosovës, dhe kjo kamuflohet në emër të patriotizmit. Mos pritni që dikush nga Prishtina që ne po shkojmë po i bëjmë këto politika sepse po dëshirojmë të heqim dorë nga veriu, ju duhet t’i shihni përmbajtjen dhe rezultatin e atyre politikave. Rezultatet që i ka bërë kjo Qeveri për 2 vjetet e fundit në drejtim të veriut, janë përshpejtim dhe objektiv për të hequr dorë nga veriu, dhe kjo fatkeqësisht me një ritëm të shpejtë po ndodh. Nëse vazhdon kështu me këtë politikë, shumë shpejt do të ndodh ajo që pak kush e ka pritur”, u shpreh Limaj.
Ndërkaq për mundësinë e marrëveshjes me Serbinë, Limaj thotë se Kosova nuk ka pasur asnjëherë më të dëmshme.
Ai kritikon ekzekutivin që nuk është në dijeni për ekipin që është duke e hartuar Asociacionin.
“Kryeministri juaj dhe i vendit tim thotë publikisht se ‘askush nuk më ka pyetur’ për marrëveshje, pra në këtë nivel ka ardhë ky që thoshte se nuk di çka është presioni. Një njëri që mbi 50 për qind ia ka dhënë populli i Kosovës, për të bërë një politikë krejt ndryshe, të dinjitetshme e me integritet. Ai njëri në emër të cilëve ka marrë votën, ai del dhe thotë se ‘as që kam negociuar ma kanë dhënë merre leje’. Tash po thotë, që se di as ekipin që është duke e hartuar statutin”, thotë Limaj.
Kjo fazë, sipas Limajt nuk ka ndodhur as në kohën kur Kosova ka funksionuar me institucione paralele.
Thotë se atë kohë, nuk është vendosur për Kosovën, pa negociata.
“Nëse ty marrëveshja të vjen pa negociuar, nëse nuk e di se kush po e bën statutin, çfarë kryeministri është. Në temën kryesore të vendit, në çështjen nacionale. Kështu që, asnjëherë nuk ka ndodhur në historinë e Kosovës, edhe atëherë kur nuk na ka njohur askush, kemi pas të drejtë, edhe në institucionet paralele asgjë nuk kanë pasur të drejtë me vendos për Kosovën pa u negociuar. Për herë të parë ndodh në Kosovë që kryeministri i vendit tonë që ka për detyrë me qeveris dhe me mbrojt kushtetutshmërinë”, thotë Limaj./eo/