Limaj premton hapa konkret për ndërtimin e Parkut të Biznesit në Prizren
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka premtuar se edhe qyteti i Prizrenit do ta ketë zonën e vet ekonomike.
Limaj pas takimit me kryetarin e Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka premtuar se brenda dhjetë ditësh do të bëhen hapa konkret në fillimin e punës për ndërtimin e Parkut të Biznesit në Prizren.
Limaj ka thënë se ka shkuar në Prizren, për t’ia shprehur udhëheqjes komunale, dëshirën, vullnetin dhe gatishmërinë e obligimin që ka Qeveria e Kosovës për të mbështetur komunat e saj.
Ai ka premtuar mbështetje edhe për një projekt tjetër të rëndësisë së veçantë, ndërtimin e rrugës së Kabashit, të cilën e ka quajtur edhe historike.
Ndërsa kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka falënderuar zëvendëskryeministrin Limaj për mbështetjen e dhënë.