Limaj premton se do ta rrisin pagën minimale në 250 euro
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se një nga veprimet e para që do t’i ndërmarrin nëse vijnë në qeveri do të jetë rritja e pagës minimale në 250 euro.
Ai nëpërmjet llogarisë se vet në “Facebook” ka thënë se Nisma Socialdemokrate është duke e harmonizuar programin qeverisës bashkë me partnerët e saj ku vend të rëndësishëm do të zënë politikat e mirëfillta për t’ua ofruar qytetarëve mirëqenien e duhur.
“Nisma në qeveri do të angazhohet për një shoqëri, e cila në thelbin e saj ka vlerat si liria, demokracia dhe solidariteti. Nisma Socialdemokrate e ka pasur gjithnjë në fokus rritjen e pagës minimale në vend dhe ka treguar përkushtimin e saj duke e shpjeguar rëndësinë e rritjes së saj, me qëllim të avancimit të kushteve të punëtorëve, por gjithashtu duke nxitur një treg më konkurrues me fuqi punëtore më të përkushtuar për punë. Një nga veprimet e para që do t’i ndërmarrim si Qeveri e ardhshme do të jetë rritja e pagës minimale në 250 euro, dhe nuk do të ndalemi me kaq”, ka shkruar Limaj.
Ai ka thënë se rritja e pagës minimale në Kosovës është domosdoshmëri.
“Rritja e pagës minimale do të bëhet jo vetëm bazuar në aspektin ligjor, por edhe domosdoshmërinë për një mirëqenie më të mirë të punëtorëve, por gjithashtu rritjen e produktivitetit në vendet e punës”, ka shkruar Limaj.
/Epoka e re/