Limaj pret konstruktivitet nga opozita për temat nacionale
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad.
Në këtë takim, zëvendëskryeministri Limaj, e ka njoftuar ambasadorin Sjaastad për qasjen e Qeverisë përballë temave nacionale dhe punëve të Qeverisë.
Me këtë rast, Limaj ka deklaruar se për çështjet nacionale, siç është dialogu me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi, duhet arritur konsensus sa më të gjerë.
“Qasja e Qeverisë së Kosovës në raport me opozitën dhe Kuvendin do të jetë ndryshe nga Qeveria e kaluar. Ne do të provojmë të arrijmë konsensus sa më të gjerë në temat nacionale, dhe në këtë drejtim ne presim që edhe partitë opozitare të jenë konstruktive. Sikundër që do të jemi transparentë dhe me të hapur me Kuvendin e Kosovës”, është shprehur Limaj.
Ai e ka vlerësuar lart kontributin dhe ndihmën që shteti norvegjez po jep për proceset në të cilat po kalon Kosova. Ambasadori Per Strand Sjaastad, ka thënë se Norvegjia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, duke ofruar ndihmë në avancimin e agjendës evropiane dhe zhvillimore të Kosovës.