Limaj pret në takim Gramoz Berishën, të mbijetuarin e masakrës së Suharekës
Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka pritur sot në takim Gramoz Berishën, i cili i mbijetoi masakrës së Suharekës.
Limaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se para 20 vitesh Gramoz Berishës iu vranë nga forcat serbe babai, motra, vëllai, tre axhallarë me familjet e tyre dhe shumë kushërinj.
“E nisa ditën duke e takuar Gramoz Berishën. Ai është djali që i mbijetoi masakrës së Suharekës, derisa ishte hedhur bashkë me nënën Vjollcën nga kamioni që po i dërgonte drejt varrit.
Para 20 vitesh atij iu vranë nga forcat serbe babai, motra, vëllai, tre axhallarë me familjet e tyre dhe shumë kushërinj. Prej 48 viktimave, 24 ende janë të pagjetur. Forca që sot e ka Gramozi na e rikujton obligimin që kemi ndaj drejtësisë dhe vendit”, ka thënë Limaj.
Ai ka theksuar se ky rast është dëshmia më e mirë se si Serbia ka manipuluar me drejtësi të rrejshme dhe dëshmon nevojën që ne të kemi drejtësi të paanshme. “Në cilësinë e kryesuesit të dialogut shtetërorë i premtova Gramozit se nuk do të lëmë gur pa lëvizë që drejtësia të vije në vend”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.
/Epoka e re/