Limaj prezanton Endrit Shalën kandidat për deputet
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka prezantuar kandidatin e radhës për deputet.
“Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të NISMA Socialdemokrate, me kënaqësi dhe krenari të madhe, ju njoftoj për kandidatin tonë për deputet, Endrit Shala. Endriti ka qenë shtylla e palëkundur e NISMA Socialdemokrate që nga fillimet e saj. Përgjatë viteve, ai ka dëshmuar se është më shumë se një politikan – ai mbi të gjitha është një mik, një bashkëpunëtor i besueshëm dhe një përfaqësues i denjë i interesave të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Limaj në “Facebook”.
Limaj ka thënë se si ish-ministër, deputet dhe shef i Grupit Parlamentar të NISMA-s, Endriti ka treguar përkushtim të jashtëzakonshëm, integritet të lartë dhe guxim të pakompromis në mbrojtjen e interesave të popullit dhe të shtetit tonë.
“Për vite me radhë, kemi punuar krah për krah, duke ndarë sfidat më të mëdha dhe duke ndërtuar së bashku një vizion për një Kosovë më të drejtë, më të fuqishme dhe më të zhvilluar. Endriti është simbol i ndershmërisë dhe besnikërisë – jo vetëm ndaj partisë sonë, por edhe ndaj qytetarëve të këtij vendi. Ai ka qenë zëri i fortë i NISMA-s në Kuvend dhe tani është koha që ai të rikthehet, për të qenë ai zë që i mungon Parlamentit. Unë jam krenar që Endriti përfaqëson NISMA-n dhe qytetarët e Kosovës. Jam i bindur se ai do të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm për ju dhe një përfaqësues i denjë i besimit tuaj”, ka shkruar Limaj.