Limaj: Protestat e 1 tetorit të ’97-s, dëshmi e sakrificës për çlirimin e Kosovës
Zëvendëskryeministri dhe lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka përkujtuar protestat e vitit 1997, duke thënë se 21 vjet pas këto protesta mbesin burim frymëzimi për gjeneratat e mëvonshme.
Ai ka theksuar se këto protesta i paraprinë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas Limajt, protestat e 1 tetorit të ’97-s janë dëshmi se çfarë sakrifice është bërë për liri dhe se çlirimi i Kosovës.
“Sot kujtojmë me krenari protestat e 1 tetorit të vitit 1997 ku qindra mijëra studentë të Universitetit të Prishtinës dhe profesorë universitarë protestuan rrugëve të Prishtinës duke përçuar mesazhin se shqiptarët nuk do të duronin më shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore që u bëheshin nga regjimi serb. Protestat e 1 tetorit të vitit 1997 i paraprinë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 21 vjet më pas, këto protesta mbesin burim frymëzimi për gjeneratat e mëvonshme. Protestat e 1 tetorit janë dëshmi se çfarë sakrifice është bërë për liri dhe se çlirimi i Kosovës është arritur me mundin dhe përpjekjet e shumë brezave!” ka shkruar Limaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/