Limaj: Qeverisja përmes vendimeve arbitrare është metodë dhe logjikë e qeverive autoritare
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar në lidhje me vendimet që është duke marrë qeverie në largim e drejtuar nga Albin Kurti.
Limaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se qeverisja përmes vendimeve arbitrare është metodë dhe logjikë e qeverive autoritare të cilat i urrejnë procedurat ligjore, respektimin e ligjit deri te nxjerrja e vendimit.
“Tani Kosova është dëshmitare e një qeverie me njerëz të tillë që për ta ligji i shkruar ka kuptim vetëm nëse është në përputhje me objektivin e tyre politik”, ka thënë Limaj.
Postimi i plotë i Limajt:
Ditë më parë në T7 kam thënë se vendimet arbitrare në fillim mund të duken simpatike e të duartrokiten, por kjo mënyrë e qeverisjes do të kthehet në rrënim të rendit ligjor.
Sepse vendimet arbitrare (mungesa e konsultimit profesional, anashkalimi i procedurave të nevojshme ligjore) janë tërësisht të motivuara për interesa apo nevoja të politikave ditore, që për objektiv kanë mashtrimin për të krijuar përshtypje se po e bëjnë punën që pritet nga ta ose kanë motiv hakmarrës ndaj palëve të treta.
Në fakt qeverisja përmes vendimeve arbitrare është metodë dhe logjikë e qeverive autoritare të cilat i urrejnë procedurat ligjore, respektimin e ligjit deri te nxjerrja e vendimit dhe tani Kosova është dëshmitare e një qeverie me njerëz të tillë që për ta ligji i shkruar ka kuptim vetëm nëse është në përputhje me objektivin e tyre politik.
Çdo procedurë ligjore që nuk është në përputhje të interesit të tyre politik ata ose e injorojnë ose tentojnë ta interpretojnë siç u konvenon në atë moment.
Të tillët krijojnë realitetin e tyre dhe atë realitet duan e punojnë t’ua imponojnë të gjithëve, sepse logjika e tyre është “ne jemi pronar të së vërtetës e së drejtës absolute”.
Nëse udhëheqësi ka folur për një temë, ajo është e vërtetë e padiskutueshme. Nëse udhëheqësi ka thënë çka është e drejtë apo e padrejtë, aty është fjala e fundit. Me një fjalë logjika e tyre është “s’ka nevojë për ligj e Kushtetutë” ai është mbi çdo gjë.