Limaj i quan deputetët ‘hipokritë’: Pse nuk reaguat kur mu montuan mesazhet
I ashpër ka qenë në fjalën e tij zëvendëskryeministri Fatmir Limaj. Ai ka kritikuar rëndë deputetët pse nuk kanë reaguar kurrë ndaj ‘persekutimit që i është bërë atij’.
“Interpelanca që po bëjmë sot është pa materie, duke llogaritur që është ngritur nga një grup shumë serioz, i cili ka përvojë në trajtimin e problematikave të tilla dhe tani është joserioze në qasje. Më tepër e shoh në kontekstin e ndikimit medial se sa për ta arritur objektivin aty ku pretendohet nga fjalët që u thanë. Parlamenti i Kosovës këtu do të doja të mos ishte një parlament hipokrit, por përnjëmend të shqetësohej për shkelje ligji”, ka thënë Limaj, duke shtuar se si është e mundur që për tetë vjet në këtë parlament, asnjë deputet nuk ka folur një fjalë të vetme se si në Kosovë persekutohen njerëzit.
“Ne jemi duke folur për një veprim që nuk është dashur të ndodh. Nuk vendosni ju a është kriminal apo jo. Kush jemi ne për të ardhur në përfundim për të konstatuar se çka ka ndodhë. Si është e mundur që për tetë vjet në këtë parlament, asnjë deputet nuk e foli një fjalë se si në këtë vend persekutohen njerëz. Pse nuk u ngrit në këtë parlament asnjë deputet që të thotë si janë sajuar mesazhe. Si është e mundur që kolegun tuaj deputet, për tetë vjet e kanë stigmatizuar me familje, dhe të thoni ‘ngadalë se po shkelet ligji’. Sa njeri vuan në burg pa faj, e ne po diskutojmë këtu se a ka qenë një allti me gaz apo pa gaz. Leni këto tema”, ka thënë Limaj.