Limaj, qytetarëve: Mos hezitoni, dilni votoni
Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka votuar në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.
Pas votimit, Limaj ka thënë se tashmë qytetarët kanë një rast të mirë të zgjedhin kandidatin e tyre, persona që do përfaqësojnë dëshirat e tyre.
“Ne po shkojmë drejt përzgjedhjes së legjislaturave lokale për katër vitet e ardhshme, besoj shumë që qytetarët e të gjitha komunave kanë rast të mirë të zgjedhin kryetarin më të mirë që ata besojnë. Besoj që qytetarët do të votojnë kandidatin që i flenë në zemër, persona që do mund të përfaqësojnë vullnetin dhe dëshirat e qytetarëve”, ka thënë Limaj.
Më tutje, Limaj ka thënë se zgjedhjet lokale janë baza themelore e demokracisë dhe e shtetndërtimit.
“Zgjedhjet lokale janë baza themelore e demokracisë, baza themelore e shtetndërtimit dhe po them prapë pavarësisht që kemi zgjedhje të shpeshta kjo ndihmon në konsolidimin demokratik, andaj ftoj qytetarët që të mos hezitojnë dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre”, është shprehur Limaj.