Limaj reagon pas paralajmërimeve të ShBA-së: Koalicioni LV-LDK ka degraduar deri në tallje
Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se paralajmërimet për vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe deklarata e senatorit Perdue për rishikimin e prezencës ushtarake amerikane në vendin tonë, vijnë si rezultat i papërgjegjësisë, dhe jo seriozitetit të kësaj mazhorance për të kuptuar që në çfarë situate është vendi ynë.
Ai ka thënë se serioziteti i koalicionit LV-LDK ka degraduar deri në tallje.
“Ata që sot janë në pushtet dhe shumë të tjerë nuk e kanë marrë seriozisht asnjëherë letrën e presidentit Trump, të datës 18 dhjetor 2018, i cili qartësisht ka përshkruar për përfitimet që Kosova do t’i nxirrte nëse e shfrytëzon atë mundësi dhe gjithashtu edhe për pasojat që do t’i vinin Kosovës, nëse e humb mundësinë për një marrëveshje finale me Serbinë”.
“Ne, në vend që të shprehim mirënjohje për involvimin direkt të presidentit Trump dhe administratës amerikane në dialogun Kosovë-Serbi, në Prishtinë ende ka zëra hezitues. Iniciativave dhe këshillave për dialog që vijnë nga SHBA- të, pa hezitim duhet t’i themi PO. Dhe tani është momenti i fundit që të gjithë nga Prishtina të flasim me një zë. PO, ne pranojmë iniciativat dhe këshillat e juaja që mundësojnë arritjen e një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të rezultonte me njohje reciproke dhe anëtarësim në OKB”, ka shkruar Limaj në llogarinë e vet në “Facebook”