Limaj: Rezultatet e mira të vendit kanë pasur kontributin e Nismës
“Rezultatet e mira të vendit kanë pasur kontributin e Nisma Socialdemokrate”, kështu ka deklaruar të enjten në pesëvjetorin e këtij subjekti politik, lideri i saj Fatmir Limaj.
Limaj ka thënë se partia që drejton ka kaluar nëpër rrugë të vështira por që rezultati për këto pesë vjet ka qenë i jashtëzakonshëm.
Ai ka kujtuar momentet kur vendosi për themelimin e kësaj partie. “Ishin momente goxha të vështira, momente jo të lehta nëpër të cilat kalonte vendi ynë. Momente aspak të favorshme për alternativë të re politike. Vendi kishte nevojë për alternativë të re që kishte qasje të re, me ide të cilat do kthehen më vonë si urë lidhëse të aktiviteteve në shërbim të vendit. Ne hymë në këtë projekt politik për të përfaqësua burra e gra, djem e vajza të cilët ishin të papërfaqësuara”, ka thënë Limaj.
Ai ka thënë se fryma socialdemokrate është shpërndarë anekënd vendit. “Fryma socialdemokrate sot është e shpërndarë anembanë Kosovës. Duke ditur që vendi ynë do ballafaqohet me situata të ndryshme ishte e nevojshme të sjellim njerëz që mendojnë me mendjen e tyre, me gjakftohtësi”, është shprehur ai.
Limaj ka theksuar se Nisma Socialdemokrate ka qenë katalizator i bashkimit të partive opozitare, për një opozitë të bashkuar në mbrojtje të interesave të vendit. “Ne kemi filluar aktivitetin politik në kushte të vështira por për pak muaj arritëm sukses të jashtëzakonshëm. Duke qenë një katalizator i bashkimit të partive opozitare, Nisma dha shpresë pasi për herë të parë në Kosovë u bë një opozitë e bashkuar në mbrojtje të interesave të vendit tonë. Duke u bazuar në këtë rezistencë partia më e madhe e pasluftës u rrëzua. Ne kemi dalë me disa zotime tona në fushatën elektorale. Më tepër se 12 mijë njerëz janë drejtuar në vende punësimi”, ka thënë Limaj.
Limaj i cili mban postin e zëvendëskryeministri të Kosovës ka thënë se grupi parlamentar i Nismës Socialdemokrate është ndër grupet më të disiplinuara dhe më të rregullta në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka thënë se Nisma Socialdemokrate edhe komunave do t’u jep shpresë.
“Sot kemi plot djem e vajza të reja të cilët lënë gjurmë të jashtëzakonshme dhe japin shpresë. Pjesë e madhe që janë në asamblenë komunale do jenë pjesë edhe e Nismës. Nisma për pesë vjet ka dëshmuar se e ka votuesin dhe elektoratin më të përkushtuar me zemër”, ka thënë Limaj.
Limaj ka folur edhe për qeverisjen në vend, duke treguar për suksesin që ka bërë ky subjekt politik.