Limaj: Serbia po vazhdon me avazin e vjetër duke keqtrajtuar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës
Autoritetet serbe kanë ndalur dy zyrtarë serbë nga Kosova tek pika kufitare Dheu i Bardhë.
Për këtë rast ka reaguar zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, i cili ka thënë se Serbia po vazhdon me avazin e vjetër, duke keqtrajtuar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
“Ndalimi i sotëm i Srdjan Jovanoviqit dhe Srecko Spasiqit, këshilltarë në Qeverinë e Kosovës, në vendkalimin kufitar te “Dheu i Bardhë” shpërfaq edhe njëherë tjetër tendencën dhe qëllimin e Serbisë për ta penguar integrimin e serbëve në Kosovë”, ka shkruar Limaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Ky nuk është rasti i vetëm dhe i izoluar, sepse autoritetet në Serbi po duan t’i frikësojnë dhe shantazhojnë qytetarët serbë për të marrë përgjegjësi në institucionet e Kosovës”.
Limaj ka theksuar se është e papranueshme nga një vend kandidat për t’u integruar në BE, të provokojë dhe të sillet në këtë formë.
“BE-ja duhet të reagojë dhe të mos tolerojë sjellje të tilla”, ka shkruar Limaj.