Limaj: S’ka asnjë situatë alarmante që të shtyhen zgjedhjet

13 shtator 2021 | 18:45

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se nuk ka asnjë arsye që zgjedhjet lokale të 17 tetorit të shtyhen.

Ai, në “Info Magazine” të “Klan Kosovës”, ka thënë se partia që ai e drejton e mbështet propozimin e partive

opozitare për shkurtimin e fushatës elektorale. Madje, ai thotë se fushata elektorale mund të eliminohet krejtësisht.
“Nisma Socialdemokrate e ka mbështetur propozimin për shkurtimin e fushatës elektorale. Është i drejtë, sepse nuk kemi nevojë për një fushatë elektorale që zgjat një muaj duke marrë parasysh edhe rrethanat në të cilat jemi. Nuk jam vetëm pro shkurtimit të fushatës elektorale në 10 ditë, por tashmë gati nuk ke nevojë fare për fushatë elektorale. Tashmë po zhvillohet një lloj parafushate në gjithë Kosovën. Ne jemi për të gjetur format dhe modalitetet që të jetë sa më pak e nevojshme për një fushatë zyrtare elektorale”.

“Sa i përket shtyrjes, zgjedhjet janë kategori kushtetuese dhe nuk është në vullnetin e një grupi politik ose një tjetri për ta bërë shtyrjen e tyre. Zgjedhjet shtyhen në raste të veçanta – duhet të jetë gjendje e jashtëzakonshme ose një situatë krejt specifike për të ardhur deri te shtyrja e zgjedhjeve. Unë nuk shoh asnjë situatë të tillë alarmante në kuptimin për të ardhur te situata ku është e pamundur organizimi i zgjedhjeve”, është shprehur Limaj

Ai ka theksuar se duhet të diskutohet vetëm për kufizimin e tubimeve dhe grumbullimin e njerëzve që mund të rëndojnë krizën e pandemisë.

“Ndoshta duhet të hiqet krejt fushata elektorale dhe pres që këso rekomandime të ketë IKSHPK-ja, derisa IKSHPK nuk e ka në domen të rekomandojë dhe të merret me një çështje krejt kushtetuese si afati i zgjedhjeve”, ka thënë Limaj.

Ai ka shtuar se procesi i kaluar zgjedhor është mbajtur në kohë të pandemisë edhe pse situata, sipas tij, ka qenë edhe më e rënduar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Bedri Hamza, ka…