Limaj: S’ka mundur të më ndalë Serbia, e po më ndal Enver Hoxhaj!
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i është përgjigjur nga Malisheva, kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj i cili dje kishte bërë thirrje që të mos votohet Nisma.
Ai ka thënë se Enver Hoxhaj është mësuar të marrë gjëra të gatshme. E sipas Limajt, edhe partinë e ka marrë të gatshme.
“Keni për ta parë ku ka për ta çuar, sepse ku ka shkuar i ka zvogëluar. Unë gjithmonë e kam nis tu e maru e kam zhvillu dhe e kam rritë. Dallim tjetër është se ai kurrë një beteje s’ka zhvilluar, pra as politike e për beteja tjera nuk po flas, sepse ju e dini më mirë”, ka thënë Limaj në një takim me të rinjtë e Malishevës.
Më tutje, ai ka thënë se Enver Hoxhaj vetëm në filmat e Rambos ka pa se çfarë është shpirti luftarak.
“Enveri nuk e di çka është përballja me jetën dhe vdekjen. Ai këtë e ka parë veç TV. I dashur Enver krejt jetën time që unë e kam rritë në këto troje është përpjekje e sakrificë, dallimi jem është se kam qenë në mesin e popullit, e ju jeni kanë spektator i asaj që ka ndodhur në Kosovë”, ka shtuar Limaj.
Më tutje, lideri i Nismës ka thënë se atë s’ka mundur ta ndalë Serbia e po e ndal Enver Hoxhaj.
“Edhe unë kam një apel për të gjitha familjet dhe çdo bashkëluftëtar mos e votoni Enver Hoxhajn, edhe po tregoj pse në kohën kur unë se bashku më bashkëluftëtarë të mi kur luftonim për lirinë e Kosovës, Enver Hoxhaj nga Vjena thoshte se do të kërkoj azil në Beograd, nëse UÇK-ja e fiton luftën. Prandaj i ftoj të gjithë bashkëluftëtarët e mi që të mos e votojnë dikë i cili më dëshirë do të kërkonte azil në Beograd se sa të shihte fitorën e UÇK-së”, ka shtuar Limaj.