Limaj: S’ka ndonjë sinjal që vendi të shkojë në zgjedhje të reja
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se për të shkuar vendi në zgjedhje duhet të piqen kushtet.
Sipas tij, kjo varet edhe nga puna që bën Qeveria e Kosovës.
Ai në një intervistë për Kosovapress” ka vlerësuar se aktualisht Qeveria Haradinaj është duke i kryer punët e veta.
“Zgjedhjet vijnë kur të piqen kushtet. Natyrisht me rregulla, zakonisht janë afatet ligjore. Çdo katër vite ka zgjedhje, por kjo nuk është diçka fikse, gjithmonë varet nga zhvillimet e gjithëmbarshme në vend. Pra, nga zhvillimet nga funksionimi i Qeverisë, nga puna që bën Qeveria e Kosovës dhe nga detyrat që i kryen. Praktikisht, duhet të krijohen kushtet nëse do të ketë nevojë për zgjedhje. Tani për tani Qeveria është duke i kryer punët e veta”, ka thënë Limaj.
Megjithatë Limaj nuk e ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të reja.
Sipas tij, Kosova ka traditë të shkuarjes në zgjedhje ende pa përfunduar mandati i saj.
Pavarësisht kësaj, Limaj ka thënë se tani për tani nuk ka ndonjë sinjal që vendi të shkojë në zgjedhje.
Sa i përket deklaratave të opozitës, për rrëzim të Qeverisë, Limaj i ka quajtur normale, madje ka thënë se sugjerimet e tyre i merr më shumë seriozitet.
Ndërkaq sa i përket koalicioneve të mundshme parazgjedhore dhe vijave të kuqe, Limaj ka thënë se është herët të flitet.