Limaj: S’mund të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve
Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në Ditën Ndërkombëtare të Peronave të Pagjetur, ka sjellë në kujtesë se në çfarë dhimbjesh ka kaluar Kosova për të ardhur deri te liria.
Limaj ka deklaruar se çështja e personave të zhdukur është plagë e cila rendon mbi shoqërinë tonë tash e 20 vjet.
Ai ka thënë se nuk mund të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë për sa kohë nuk zbardhet fati i të gjithë personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur, sjellim në kujtesë se në çfarë dhimbjesh ka kaluar vendi për të ardhur deri te liria. Sot rikonfirmojmë vendosmërinë tonë si shtet se nuk do të lëmë gurë pa lëvizur deri në zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur. Çështja e personave të zhdukur është plagë e cila rendon mbi shoqërinë tonë tash e 20 vjet dhe se nuk mund të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë për sa kohë nuk zbardhet fati i të gjithë personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. Kosova dhe institucionet e saj nuk do të ndalen së kërkuari asnjëherë për drejtësi për të gjithë personat e pagjetur”, ka shkruar Limaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/