Limaj: Sot në Kosovë kemi një politikë zyrtare anti-UÇK

15 qershor 2022 | 15:05

Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kritikuar qëndrimin e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti ndaj UÇK-së.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka thënë se sot në Kosovë ka një politikë zyrtare anti-UÇK, e cila po udhëhiqet nga institucionet qendrore.

“Sot kemi një politikë zyrtare anti-liri dhe anti-UÇK, e cila po drejtohet nga kjo Qeveri. Shoqëria kosovare përballë kësaj politike nuk duhet të heshtë dhe nuk duhet ta ulë kokën”, ka deklaruar ai.

Limaj ka ftuar shoqërinë kosovare që të mos heshtë ndaj kësaj politike.

Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kërkuar shkarkimin e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Ai ka bërë me dije se qëndrimet e saj ndaj UÇK-së janë qëndrime të presidentes Vjosa Osmani dhe të kryeministrit Albin Kurti.

Në këtë intervistë, ai e ka kritikuar edhe qasjen e partive opozitare ndaj pushtetit.

I pyetur për qeverisjen e Kurtit, Limaj ka theksuar se kjo qeveri asnjë të mirë nuk e ka bërë.

“Ma thoni vetëm një gjë të mirë që e ka bërë ai gjatë kësaj periudhe të qeverisjes. Ma thoni një vendim, një qëndrim, apo një projekt, i cili do të tregonte se këtu ka një ndryshim. Mendoj se ky i ka tejkaluar parashikimet negative. Unë nuk kam pritur asgjë nga ky, por megjithatë na i ka tejkaluar me parashikime negative. Në qeveri është grumbulluar një grup njerëzisht të paaftë, të papërvojë, pa motiv dhe pa dashni për vendin. Ata sot i kanë dhënë një status quo zhvillimit të shtetit të Kosovës në tërësi”, ka deklaruar Limaj.

Lideri i Nismës ka kritikuar edhe opozitën.

“Fatkeqësisht ne sot kemi një opozitë anemike dhe të paorganizuar. Drejtuesit e partive opozitare ende nuk kanë treguar se cila është platforma dhe opozitë-bërja e tyre. Daljet e kohëpaskohshme janë për deputetë të opozitës, opinionistët dhe intelektualët. Liderët e opozitës duhet të dalin me një platformë të qartë opozitare, në vazhdimësi e në çdo kohë. Deri më tani kemi parë një opozitë sporadike në reagime. Kjo opozitë më tepër reagon sesa që krijojnë politika opozitare. Sot më opozitë i ke mediat në Kosovë, sesa që ke një opozitë të mirëfilltë.  Ato parti nuk ngritin çështje në kohën dhe mënyrën e duhur në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu, i shoh se as grupet parlamentare nuk janë të koordinuara në aktivitete, shpresoj se ata do të ringjallen. Por, tani për tani kemi një opozitë larg prej asaj që duhet të jetë”, ka thënë Limaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Festivali “Beerfest Kosova” i paraparë të mbahet më 24 deri…