Limaj takon disa të rinj që bartin emrat që simbolizojnë çlirimin e Kosovës
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të vendit tonë, ka pritur në takim disa djem dhe vajza të cilët janë të pagëzuar me emrin çlirimtar dhe çlirimtare.
Limaj ka thënë se ka qenë emocion i veçantë që në shënim të 20-vjetorit të çlirimit t’i pres në takim të rinjtë të cilët bartin emra që simbolizojnë çlirimin e Kosovës.
“Djem dhe vajza të pagëzuar me emrat Çlirim dhe Çlirimtare të cilët kanë lindur në vitet 1999-2000 në epokën e lirisë së Kosovës dhe të cilët me krenari mbajnë këta emra. Këta emra të veçantë tregojnë historinë e lavdishme të Kosovës dhe në mesin e vizitorëve pata fëmijë të bashkëluftëtarëve të cilët e mbajnë me plot kuptim këtë emër. Emrat tuaj dhe puna juaj në shërbim të vendit do të jenë motiv dhe pjesë e historive e rrëfimeve për lirinë e vendit e brezave që do të vijnë”.
“Në këtë ditë të rëndësishme të çlirimit të vendit kujtojmë të gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit të cilët u flijuan për lirinë e Kosovës. Gjenerata jonë është me fat që kurorëzoi ëndrrën ndër breza për të pasur shtetin tonë. Falënderime e mirënjohje për aleatët tanë ndërkombëtarë të cilët na ndihmuan në rrugëtimin tonë drejt lirisë. Lavdi dëshmorëve të këtij brezi dhe brezave të mëhershëm. Lavdi martirëve dhe të gjithë atyre që u flijuan për çlirimin e vendit”, ka shkruar Limaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/