Limaj: Të dielën vetëm takim i radhës i Thaçit me Vuçiqin, për finalen vendos parlamenti
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj në emisionin “Interaktiv” të “KTV”-së, ka folur se kush duhet ta përfaqësojë Kosovën në të ashtuquajturën finale të bisedimeve me Serbinë.
“Jemi të interesuar që të ndërtojmë një konsensus më të gjerë për finalen. Duhet të jemi serioz dhe të jemi të përgjegjshëm para situatës në të cilën gjendemi. Të jemi më të bashkuar rreth asaj që na pret. Tani është një qëndrim që e kemi bërë të qartë, ne duam një proces kredibil që reflekton besueshmëri dhe transparencë. Grupet e parlamentit duhej të ishin të angazhuara në procesin final e posaçërisht parlamenti. Duhet të marrim obligim që pika që mandatohet nga parlamenti, t’i referohet parlamentit dhe të implemetohet në tërësi”, ka thënë Limaj.
Duke folur për takimin e thirrur nga BE-ja mes presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, Limaj ka thënë se të dielën do të jetë vetëm një takim i radhës së presidentëve dhe se nuk do të flitet për finalen mes dy vendeve.
“Unë e shoh një takim të radhës mes Thaçit e Vuçiqit. Finalja duhet të shkojë përmes parlamentit. Thaçi nuk mund të shkojë të bëjë marrëveshje pa miratimin e forcave tjera. Nuk është çështje individuale. Në tryeza është parlamenti. Aty shprehet vullneti i qytetarëve të Kosovës. Duhet të jenë të përfshira të gjitha institucionet qendrore. Kështu dalim më të fuqishëm dhe të gatshëm për të marrë përgjegjësi”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se parlamenti nuk duhet të vendos se kush do të përfaqësojë Kosovën në finalen me Serbinë, por sipas tij, duhet të caktohen pikat që do të bisedohen.
“Parlamenti duhet të mandatojë pikat që duhet të negociohen. Nuk mund të përjashtohen presidenca, qeveria apo parlamenti. Askush nuk duhet të shkojë drejt përjashtimit, por duhet të shkojmë drejt unifikimit. Presidenca, qeveria dhe parlamenti duhet të marrin përgjegjësi dhe asnjëri nga këta institucione nuk duhet t’i ikë përgjegjësisë”, ka thënë ai.