Limaj: Të largohet çfarëdo pengese që zvarrit përfundimin e dialogut
Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj pas takimit me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është shprehur optimist se dialogu do të rifillojë së shpejti.
Limaj ka thënë se Serbia po mundohet përmes bllokadave të zvarrit këtë proces, i cili sipas tij duhet të përmbyllet me njohje reciproke.
“Duhet të largohet çfarëdo zbrastësie, pengesë që e zhagisinë përfundimin e dialogut dhe e di që zotëri Lajçak bashkë me kabinetin e tij është duke e bërë një punë të madhe. Pres në ditët në vijim të intensifikohet dialogu dhe të përmbyllet me marrëveshjen obligueshme për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Limaj, raporton KP.
Limaj para gazetarëve tha se nuk ka asgjë të keqe të përfshihet Asociacioni me kompetencat që janë caktuar nga Gjykata Kushtetuese në marrëveshjen finale.
“Në marrëveshje gjithëpërfshirëse duhet të përfshihet edhe Asociacioni me të gjeturat apo kompetencat e vendimit të Kushtetueses dhe Kosova ka obligimet që duhet të zbatojë. Këtu nuk shoh asnjë telashe, për mua është e rëndësishme që marrëveshje të jetë për njohje reciproke dhe brenda të jetë asociacioni siç është paraparë nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë ai.